Rrugët me pagesë; rekomandimi, 9 akse ku të ecësh do të kushtojë

09/05/2016 19:50

Këshilltarët ndërkombëtarë të pajtuar nga qeveria për të hartuar strategjinë kombëtare të taksimit rrugor kanë propozuar bërjën me pagesë të akseve më të rëndësishme të vendit.

Top Channel zbardh dokumentin konfidencial, i cili është përgatitur nga “Euro Consultants” për llogari të qeverisë shqiptare. Dokumenti rekomandon 9 akse si më të përshtatshme për t’u bërë me pagesë, përmes një procesi gradual me katër faza.

Sipas tij, në fazën e parë, e cila do të jetë e menjëhershme, propozohet të bëhen me tarifë kalimi katër rrugët kryesore të vendit, autostrada Tiranë-Durrës, ajo Tiranë-Elbasan, rruga Durrës-Kukës dhe rruga e Arbërit pasi të jetë përfunduar.

Pas instalimit të pagesës në këto segmente, propozohet të vendosen në sistem tarifimi rruga Levan-Vlorë dhe ajo Durrës-Fier, edhe këto dy akse të ndërtuara rishtaz.

Në fazën e tretë do të vendoset pagesa për rrugën Levan-Tepelënë dhe rrugët e fundit që do të përfshihen në skemën e tarifimit janë Elbasan-Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit.

Sipas dokumentit, tarifa e propozuar që duhet të paguajnë qytetarët varion nga 0.5 deri në 3.5 cent të euros për çdo kilometër.

Kjo do të thotë se në një rrugë me gjatësi 100 kilometër çdo automjet duhet të paguajë deri në 3.5 euro për të kaluar. Sipas strategjisë, këto para do të përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve ekzistuese dhe ndërtimin e atyre të reja.

Banka Botërore parashikon se Shqipërisë i duhen 400 milionë dollarë për mirëmbajtjen e fondit rrugor në katër vitet e ardhshme dhe një pjesë e kësaj kostoje mund t’u ngarkohet qytetarëve duke e bërë kalimin me pagesë.

Top Channel