Reformat, Halimi: Drejtësia dhe zgjedhorja të ecin paralelisht

09/05/2016 00:00

Partia Demokratike nuk kushtëzon reformën në drejtësi me atë zgjedhore, por thotë që këto dy reforma do të duhet të ecin paralelisht me njëra-tjetrën.

Deputeti Eduard Halimi, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Selia Blu për Top Story me Sokol Ballën, interpretoi deklaratën e mëhershme të Lulzim Bashës.

“Deklarata e Lulzim Bashës ishte e qartë; pa zgjedhje të lira nuk mund të ketë asnjë reformë tjetër kryesore. Megjithatë, Partia Demokratike nuk ka asnjë kusht për të kushtëzuar reformën në drejtësi, por është logjike dhe e drejtë e opozitës që të kërkojë një reformë elektorale që të shmangë mundësinë e banditëve për të vjedhur votat dhe për të hyrë në Parlament. Paralelisht me reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, PD ka prezantuar edhe platformën e saj për kodin e ri elektoral. Kemi një komision dhe ai duhet të ecë me të njëjtat ritme që po ecën edhe reforma në drejtësi’, tha Halimi.

Konsensusin e kësaj të hëne në Komisionin e Posaçëm, Eduard Halimi e interpretoi si arritje dhe përqasje në kërkesat parimore të opozitës sa i takon çështjeve teknike, ndërsa la të kuptohej se për ato politike ka ende shumë punë për të bërë.

“Për çështjet teknike opozita dha dakortësinë në parim që të ecet nen për nen, për çështjet politike që ndajnë palët, si skema institucionale dhe emërimi i zyrtarëve në këtë skemë, apo mandati presidencial, edhe gjatë ditëve të dialogut politik nuk pati dokartësi dhe ajo që u vendos sot është që të ecim nen për ne. Ky ishtë votimi i sotëm dhe ajo çka kemi mbrojtur në komision. Palët ishin të vetëdijshme që nuk kemi rënë dakort për çështjet politike, por do të vazhdojë shqyrtimi nen për nen”, tha deputeti demokrat.

Halimi u pyet edhe mbi praninë e dy ambasadorëve, atij të SHBA dhe të BE-së në mbledhjen e grupit parlamentar, e parashikuar për të martën.

“Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ambasadorët janë të mirëpritur në çdo kohë”, tha ai.

Po në lidhje të drejtpërdrejtë, Taulant Balla nga PS aludoi se opozita po i bën bisht reformës në drejtësi duke mos sqaruar, sipas tij, atë që u votua këtë të hënë në Komisionin e Posaçëm.

“Sot në Kuvendin e Shqipërisë është votuar në parim një projektligj dhe Kuvendi ka një procedurë edhe kur bëhet fjalë për ndryshime Kushtetuese sesi zhvillohet ajo. Nesër nis puna nen për nen për reformën në drejtësi”, tha Balla.

Kryeministri ka deklaruar disa herë se reforma do të miratohet edhe pa konsensusin e Partisë Demokratike, duke nënkuptuar këtu ndoshta një rrjedhje të votave nga kampi i opozitës. Por këtë skenar e ka mohuar Eduard Halimi.

“Nuk ka asnjë mundësi që kjo të ndodhë. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është i angazhuar për reformën në drejtësi”, tha ai.

Megjithatë, Taulant Balla nuk e përjashtoi këtë mundësi.

“Parlamenti është institucioni ku bëhen ligjet dhe unë shpresoj që brenda grupit të PD ka deputetë që duan t’i bashkangjiten 95 përqind të shqiptarëve që duan që reforma në drejtësi të bëhet”, u shpreh ai. 

Top Channel