PD: Reforma Zgjedhore, kushti i ri për reformat e tjera

09/05/2016 00:00

Partia Demokratike po zhvillon një mbledhje me dyer të mbyllura, e thirrur jashtë radhës për të njohur deputetët me platformën e opozitës për Reformën Zgjedhore.

Gjatë javëve të fundit, ajo është cilësuar si prioritet i prioriteteve nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por në mbledhjen e sotme ai është shprehur hapur se “kjo reformë do të kushtëzojë çdo reformë tjetër”, duke lënë të kuptohet se, prej saj mund të varet edhe qëndrimi përfundimtar i opozitës për Reformën në Drejtësi.

Prezantimi i platformës sapo ka nisur, sepse për rreth 1 orë deputetët kanë shprehur pakënaqësi për praninë e ambasadorëve të huaj në mbledhjet e grupit parlamentar. Disa deputetë, si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Genc Ruli, Genc Pollo dhe Kastriot Islami, kanë qenë të mendimit se kjo është e tepërt, por zoti Basha është përgjigjur se PD-ja nuk mund të refuzonte, për sa kohë mbledhjet do të zhvillohen edhe me socialistët dhe LSI-në.

Ndërkohë, deputeti Eduard Selami nuk është shprehur kundër pranisë së ambasadorëve në mbledhjet e grupeve dhe ka thënë se, amerikanët merrnin pjesë në mbledhje të ndryshme në Gjermani dhe Japoni, pas Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel