PD: Roshi i Ramës fsheh të dhënat

08/05/2016 13:45

Partia Demokratike, me anë të Sekretarit për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, theksoi se “formulari i vetëdeklarimit i kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi tregon një përpjekje të re për të mbrojtur krimin dhe inkriminimin”.

“I shpallur nga Edi Rama si model për t’u marrë shembull nga të tjerët, Roshi ka pasur në të kaluarën probleme të rënda me drejtësinë. Ai po mundohet t’i fshehë ato duke mos dhënë arsyet pse është dëbuar nga Gjermania. Një provë që konfirmon qëndrimet dhe denoncimet e Partisë Demokratike dhe të ambasadorit amerikan për kandidimet e kriminelëve në zgjedhje. Përgjigja që ka dhënë ai për problemet që ka pasur me drejtësinë në vendet e Europës, e tipit “Nuk më kujtohet”, është përpjekje për t’i shpëtuar lakut të ligjit dhe dekriminalizimit. Një sfidim që Roshit ia ka mësuar shefi i tij Rama, personi që ka kundërshtuar më shumë se askush tjetër këtë reformë që do të pastrojë politikën, zyrat publike dhe parlamentin nga kriminelët, banditët dhe trafikantët me të cilët ai erdhi në pushtet, me të cilët po sundon vendin”, u shpreh Salianji.

“Ligji tashmë është në fuqi, afati i vetëdeklarimit ka kaluar. Ligji është i qartë dhe i detajuar dhe nuk varet nga dëshirat e humori i Edi Ramës e roshëve të tij. Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dërgojë menjëherë në prokurori formularin e Roshit, pasi fshehja e të dhënave është një vepër penale më vete, që do të mjaftonte për ndërprerjen e mandatit të Roshit. Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë dhe organeve që ligji ngarkon me zbatimin e tij, që të nisin menjëherë nga puna. Zbatimi i menjëhershëm i ligjit, me siguri që do të sjellë dhe kujtesën e humbur të roshëve dhe banditëve të Edi Ramës, do të heqë pushtetin nga kriminelët për t’ia dhënë qytetarëve”, shtoi Salianji.

Në një deklaratë për mediat, kryetari i bashkisë e pranoi autenticitetin e formularit, por thotë se ai nuk është subjekt i asnjë krimi që parashikon ligji për dekriminalizimin.

Kryebashkiaku i Kavajës thotë se është ndaluar dhe më pas është dëbuar nga Gjermania si një emigrant pa letra, por ka shkruar në deklaratë se nuk i kujtohet në mënyrë që të ishte saktë me përcaktimet.

Elvis Roshi thotë se detajet e ndalimit dhe dëbimit po zbardhen nga avokatët e tij dhe do t’i bëhen publikut të njohura sa më parë të jetë e mundur.

Top Channel