“Drejtësia”, PD: Mbështesim draftin, por reforma jo në komision

08/05/2016 00:00

Të hënën paradite, kur të mblidhet Komisioni për Reformën në Drejtësi, Partia Demokratike nuk do të mbështesë propozimin e qeverisë për të miratuar në parim projektin me ndryshimet kushtetuese.

Ky propozim u bë gjatë mbledhjes së fundit nga kryetari i Komisionit të Reformës, socialisti Fatmir Xhafaj, pasi ekspertët ndërkombëtarë bënë prezantimin e projektit që u mbështet publikisht nga dy ambasadorët.

Në qëndrimin e saj zyrtar, opozita thotë se votimi në parim në një Komision të posaçëm është një procedurë ekstra kushtetuese dhe ekstraparlamentare dhe se sipas kushtetutës nisma për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit merret nga jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit.

Opozita i shton argumentit të saj për të qenë të kujdesshëm me procedurat edhe faktin se hapat e ndjekur për miratimin e këtyre ndryshimeve do t’i nënshtrohen më vonë kontrollit nga Gjykata Kushtetuese.

Për këtë arsye, Partia Demokratike thotë se ajo që duhet të bëjë Komisioni i posaçëm është të realizojë vendimarrjen politike për disa çështje për të cilat ende nuk është gjetur konsensusi, të shqyrtojë projektin nen për nen dhe paralelisht të bëhet gati edhe paketa e plotë ligjore që do të shoqerojë amendamentet.

Përsa i takon përmbajtjes, opozita vlerësoi se drafti kushtetues i paraqitur nga ekspertët e huaj ka përmirësime në afrimin me standardet ndërkombëtare dhe se me pranimin e 35 propozimeve të saj, opozita i mbështet në parim këto përmirësime dhe ndërhyrje në draftin kushtetues.

Përsa i përket çështjeve të pazgjidhura që kërkojnë vendimmarrje politike, siç është ajo e shumicës së cilësuar për emërimin e të gjithë funksionarëve të sistemit të drejtësisë, opozita i bën thirrje mazhorancës të tregojë vullnet politik për të çuar përpara reformën në drejetësi.

Top Channel