Gazsjellësi Joniano-Adriatik, lobim i vendeve të rajonit për zgjatimin e TAP

07/05/2016 10:15

Qeveritë e katër vendeve të rajonit po lobojnë për ndërtimin e një e degëzimi që do e shtrinte Gazsjellësin TransAdriatik deri në Kroaci. I njohur si gazsjellësi Joniano-Adriatik, projekti mblodhi në Budva ministrat e Energjisë të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe Kroacisë.

“Përfaqësues të kompanive të gazit dhe ministrive përkatëse do të krijojnë një njësi të menaxhimit të projektit, ku do të kenë palë edhe kompaninë SOCAR të Azerbajxhanit për ta promovuar këtë projekt”, deklaroi ministri shqiptar Damian Gjiknuri.

Sipas Gjinkurit, shanset e nyjes Joniano-Adriatike janë rritur me avancimin e gazsjellësit TAP.

“Mali i Zi po e përfundon masterplanin e gazit, gjithashtu edhe Shqipëria. Kroacia ka avancuar nga ana e saj e kjo do të thotë se po maturohet pak nga pak kërkesa për gaz. Shumë shpejt të gjitha vendet do të kenë sasi të dedikuara për gazin, çka e bën këtë projekt akoma më fizibël”, tha Gjiknuri.

Gazsjellësi Joniano-Adriatik do të ketë një gjatësi prej 511 km dhe investimi total i këtij projekti llogaritet në 618 milionë euro.

Top Channel