Tjetër komision hetimor për CEZ-in

06/05/2016 00:00

Një komisionin i ri parlamentar do të hetojë çështjet e lidhura me CEZ. Pas atij të ngritur nga mazhoranca që heton procesin e privatizimit, një tjetër komision i kërkuar nga opozita ka si qëllim zbardhjen e marrëveshjes që i kaloi aksionet përsëri në pronësi të shtetit.

Sipas Partisë Demokratike është auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka nxjerrë humbje prej 479 milionë eurosh. Opozita pretendon që dëmi është mbi 1 miliardë euro nga keqmenaxhimi çek dhe rimarrja e aksioneve me mirëkuptim, ndërkohë që çështja mund të fitohej në Arbritazh nga Shqipëria.

“Pra, pavarësisht që detyrimi që kompania CEZ i kishte shtetit shqiptar vlerësohet 1 miliardë euro dhe 500 milionë dollarë CEZ i detyrohet KESH-it dhe OST-së, qeveria zgjidhi me mirëkuptim mosmarrëveshjen duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i paguar edhe 95 mln euro të tjera”, deklaroi kreu i këtij komisioni, Edmond Spaho.

Sekretare e Komisionit u zgjodh Vasilika Hysi. Nga ana tjetër mazhoranca kërkoi që të merren parasysh se marrëveshja e lidhur me CEZ është arritur duke bashkëpunuar me Komitetin e Energjisë, ku Shqipëria është palë.

Ndërkohë, në komisionin tjetër hetimor u miratua plani i hetimit. Mbledhja zgjati pak minuta dhe opozita nuk ishte e pranishme pasi nuk arriti në orar.

Top Channel