Ecuria ekonomike në rajon, Sejko takon homologun malazez Dakiç

06/05/2016 17:25

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka pritur sot në një takim homologun malazez Milojica Dakiç. Takimi u përqendrua në marrëdhëniet midis dy institucioneve, në ecurinë e sistemeve bankare përkatëse, si dhe në zhvillimet më të fundit në rajon.

Fillimisht, guvernatori Sejko njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit financiare në vend, ku theksoi se sistemi bankar shqiptar është likuid dhe i mirëkapitalizuar.

Ai u shpreh se, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në garantimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Duke u ndalur në ecurinë ekonomike të vendit, Sejko u shpreh në veçanti se, pavarësisht sfidave të ambientit të jashtëm ekonomik, përsëri ekonomia shqiptare mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi.

Në këtë drejtim, guvernatori garantoi se institucioni që ai drejton nëpërmjet politikës monetare lehtësuese do të vazhdojë të japë të gjithë kontributin e duhur për të mbështetur përpjekjet për një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Zhvillimet financiare ndërkombëtare si dhe procesi i integrimit evropian të dy vendeve ishte një tjetër çështje që u diskutua nga drejtuesit e bankave qendrore.

Ata theksuan se është mjaft e rëndësishme që Shqipëria dhe Mali i Zi, por edhe vendet e tjera të rajonit, të kenë një qëndrim unik në forumet evropiane, pasi karakterizohen nga specifika të ngjashme.

Top Channel