Basha: Rama, presion mafioz kreut të Shoqatës së Arkitektëve

06/05/2016 21:05

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një deklarate për mediat mbrëmjen e së premtes ka akuzuar kryeministrin Rama se i ka bërë një presion mafioz kreut të Shoqatës së Arkitektëve që të ndryshonte qëndrim mbi projektin e stadiumit “Qemal Stafa”.

“Cilin shullaz dërgoi Edi Rama tek kryetari i Shoqatës së Arkitektëve, për ta detyruar të ndryshonte mendje e të mbështeste projektin e stadiumit? Ndryshimi i qëndrimit të Mitrojorgjit, i cili fillimisht e kundërshtoi qendrën tregtare “Qemal Stafa” me kullën brenda, ishte rezultat i kodit mafioz, i presionit të tmerrshëm që iu bë arkitektit te njohur, njesoj siç iu bë Konit e Kules”, ka deklaruar Basha.

Por meqë Shullazi është në burg, ka vijuar Basha, “kësaj radhe vetë Rama me gojën e me dorën e tij i ka vënë gjobë Mitrojorgjit”.

“Me presion i zhvati një “pendesë” atij dhe e nxorri me vrap në publik. Dhe këtë e bëri sepse projekti i kullës me stadium është klientelist, korruptiv, është me llogari të bëra e hesape të ndara dhe s’mund të pengohet”, ka thënë Basha.

Kjo është, sipas tij, arsyeja përse iu mbyll goja Mitrojorgjit. “Ndaj Mitrojorgji ndryshoi mendim. Mitrojorgji e pagoi gjobën e Ramës. Ku ndryshon ky i fundit nga Shullazi? Kush mund ta thotë diferencën”, ka shtuar Basha.

Top Channel