Koncesioni i ri i Rinasit, PD-Haxhinastos: Pse nuk ulet çmimi i biletave?

04/05/2016 00:00

Opozita dhe mazhoranca u përplasën përsëri për çështjen e ndryshimit të koncesionit të Rinasit, i cili liberalizon fluturimet ndërkombëtare në Shqipëri kundrejt shtyrjes së marrëveshjes së paku me dy vite.

Sipas demokratëve nuk është përllogaritur sesa të ardhura humb shteti nga kjo zgjatje e kontratës.

“Sa lekë i mungojnë arkës së shtetit për vitet që ju keni zgjatur kontratën. Duam të dimë sa është kostoja e zgjatjes së kontratës?”, pyeti Sherefedin Shehu, deputet i PD-së.

“Buxheti i shtetit nuk pëson asnjë efekt, sepse ato të ardhura që do të merreshin nga Aeroporti i Rinasit, tashmë do të merren nga aeroportet e tjerë”, u përgjigj ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

Tjetër pikë e nxehtë e debatit ishte çmimi i biletave, i cili sipas opozitës nuk do të ulet, pasi nuk janë negociuar kostot me koncesionarin.

“Aeroporti është i hapur për të gjitha llojet e kompanive, por operojnë 10 kompani dhe të dhjeta i kanë çmimet e larta. A i keni pyetur përse? Pikërisht sepse lidhet me tarifat e koncesionarit”, tha ish-ministri Ridvan Bode.

“Në momentin që krijohen kushtet e konkurrencës për aeroportet e reja, të jeni të bindur që çmimi i biletave do të bjerë me patjetër, do të ketë patjetër kompani me kosto të ulët. Por të jemi të sinqertë, kjo gjë nuk ndodh brenda një dite”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Sipas qeverisë, Aeroporti i Kukësit mund të vihet në operim brenda një viti, ndërsa për aeroportin e jugut ka disa shprehje interesi.

Top Channel