Sërish për koncesion Rruga e Kombit

03/05/2016 00:00

Qeveria do të tentojë sërish të japë me koncesion mirëmbajtjen e rrugës Durrës-Kukës, këtë herë duke rritur garancitë për privatin.  

“Nga viti i katërt subvencioni që jepet nga shteti do të fillojë të jepet që në vitin e 3 të kontratës. Gjithashtu kemi rritur trafikun minimal të garantuar nga shteti nga 3500 në 4 mijë mjete në ditë, pasi kohët e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme trafikut”, thotë Edi Seitaj, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Transporteve.
 
Sipas qeverisë, kostoja e mirëmbajtjes së rrugës luhatet nga 8 deri në 12 milionë euro në vit.

“Përveç shpenzimet të nevojshme për mirëmbajtjen e rrugës ka dhe një investim kapital të konsiderueshëm që koncesionari duhet ta kryejë në katër vitet e para. Flasim për një investim fillestar  rreth 50 milionë euro”, shton Seitaj.
 
Qeveria thotë se nuk i ka këto para, ndaj ka vendosur që një pjesë të kostos t’ja kalojë qytetarëve, të cilët do të paguajnë 5 euro për mjet, ndërsa buxheti do të paguajë pjesën tjetër sipas një formule që i garanton privatit një nivel dysheme të ardhurash.

“Përveç kësaj në Rrugën e Kombit ne presim të vijnë kompani ndërkombëtare me një ekspertizë të thelluar në mirëmbajtje dhe operim që do i bënte shumë mirë rritjes së cilësisë në mirëmbajtjen edhe në rrugët e tjera”, shton Seitaj.

Sipas Bankës Botërore, në 5 vitet e ardhshme Shqipërisë i duhet të shpenzojë 400 milionë dollarë për mirëmbajtjen e rrugëve. Për shkak të kostos së lartë, qeveria ka parlajmëruar se një sërë rrugësh do të bëhen me pagesë për qytetarët.

Top Channel