PD për familjet në nevojë, Basha: Do t’u paguajmë dritat dhe ujin

30/04/2016 00:00

Tregtarët në Vorë iu ankuan kreut të opozitës për rënien e konsumit, rritjen e çmimit të energjisë, që u pakëson ndjeshëm fitimet dhe për keqtrajtimin nga tatimet, duke punuar në frikën e arbitraritetit. Zgjidhja, sipas Bashës, është alternativa e Partise Demorkratike.

“Do ta heqim frikën. Do të ulim taksat, do të ulim çmimin e energjisë. 1 miliard euro do t’i kthehen ekonomisë vetëm duke ulur taksat, duke ulur çmimin e energjisë. Vetëm me këto fillon konsumi, biznesi merr frymë dhe rritet punësimi”, deklaroi Basha.

Në dy familje në nevojë në Marikaj, Basha u njoh me kushtet e vështira të jetesës, ku kryefamiljaret janë invalidë, por me asnjë ndihmë financiare për kurimin e vazhdueshëm.

“Si qeveri do të bëjmë të mundur që për njerëzit që janë në halle të tilla ilaçet të jenë 100% të rimbursueshme nga shteti”, premtoi Basha.

Në një takim në Prezë, kreu i opozitës shpjegoi se çfarë parashikon opozita në programin e saj për të ndihmuar familjet në nevojë.

“Familjeve me ndihmë ekonomike që shpënzojnë deri në 200 kw do t’ua paguajë shteti energjinë, edhe faturën e ujit. Këto kontrata që shkoni i paguani nga 2.500 lekë të reja do të marrin fund, sepse bëhet fjalë në tërësi për detyrime të pajustifikuara”, sqaroi Basha.

Programi i demokratëve parashikon ndihmë konkrete edhe në bujqësi. Subvencionimi direkt për feremerët dhe investimet në infrastrukturë janë dy shtyllat kryesore në programin e Partisë Demokratike për bujqëisnë.

“Siç shpërndahen pensionet, siç shpërndahet ndihma ekonomike kështu do të shpërndahet edhe subvencioni për fermerët, për çdo fermer. Me anë të një subvencionimi të tillë që do të kapë shifrën 120 milionë dollarësh në vit ne do të arrijmë të shuajmë koston e punës për dynym”, deklaroi Basha.

Top Channel