Koçi: Gërdeci, skemë korrupsioni që solli aksident teknologjik

28/04/2016 00:00

Qëndrimi i Gardës nuk është i pari në radhën e qëndrimeve të qeverisë Rama ndaj çështjeve të bujshme të qeverisë së mëparshme. Një qëndrim të njëjtë ka mbajtur qeveria Rama sikurse qeveria Berisha edhe për çështjen e Gërdecit.

Në ankimimin e dorëzuar në gjykatë një vit më parë, një dokument që mban firmën e zv.ministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi, tragjedia e Gërdecit përshkruhet të ketë ndodhur për shkak të një aksidenti teknologjik gjatë demontimit të municioneve dhe kërkon që të rrëzohet një vendim i Shkallës së Parë Administrative për dëmshpërblim sepse ky dëm ka ardhur nga kompania “Albademil” dhe amerikania “SAC”.

Këtij qëndrimi zyrtar, Petro Koçi i qëndroi edhe në panelin e Top Story me Sokol Ballën këtë të enjte.

“Gërdeci si skemë organizimi, si instrumenta të përdorura për të përfituar në mënyrë makabre, nuk është një aksident teknologjik, është një skemë e mirëfilltë korrupsioni. Shpërthimi si proces fiziko-kimik është një aksident teknologjik. Gjykatat, ose kolegjet penale në të tre shkallët kanë përcaktuar fajtorë konkretë për atë që ndodhi në Gërdec, ku është kompania Albademil dhe gjykata thotë për shkak të gabimeve të kësaj kompanie”, thotë Koçi.

Zv.ministri shtoi duke thënë se Ministria e Mbrojtjes kërkon që dëmshpërblimet të mos jepen nga taksa-paguesit, por nga fajtorët e ngjarjes së rëndë, që janë gjetur në vendimet penale.

Nga ana e tij, analisti Mustafa Nano thotë se Gërdeci asnjëherë nuk është shqyrtuar deri në fund dhe nuk janë pyetur të gjithë të përfolurit si protagonistë në të.

“Gërdeci është një aferë korruptive ku ka gjasa të jetë përfshirë edhe djali i ish-kryeministrit Berisha dhe që në mënyrë aksidentale u finalizua me një masakër. Jam dakort që ka ndodhur në mënyrë aksidentale, ama afera korruptive nuk ka qenë aksidentale. Ajo ka qenë e qartë”, thotë ai.

Gjithë procesin gjyqësor, Nano e cilëson si të paplotë dhe të pilotuar. 

Top Channel