Tiranë, zhvillohet Konferenca Rajonale e Grave Parlamentare

27/04/2016 00:00

Është mbajtur në Tiranë Konferenca Vjetore Rajonale e Grave Parlamentare, ku të pranishme ishin gra deputete nga të gjithë vendet e rajonit. Fjala e hapjes e mbajt nga deputetja socialiste, njëherazi edhe kryetare e Komisionit të Poltikës së Jashtme, Arta Dade.

“Angazhimi ynë politik nuk është vetëm tregues i realizimit tonë vetjak, por ai merr kuptim kur vihet në shërbim të shoqërisë dhe komuniteteve tona, kur ne bëhemi katalizator të bashkëpunimit përtej politikës partiake të ditës”, deklaroi Dade.

Ndërkaq, kreu i Parlamentit Ilir Meta bëri një propozim lidhur me përfshirjen e grave në politikë: “Ka ardhur koha që atë hap që ndërmorëm në zgjedhjet vendore për përfaqësimin e grave, ta ndërmarrim edhe në zgjedhjet parlamentare”.

Por deputetja Majlinda Bregu theksoi se përfshirja e grave në politikë nuk duhet të jetë vetëm çështje numrash: “Besoj se përfaqësimi i grave në politikë sot kërkon më shumë identitetin politik përpara dhe pastaj identitetin gjinor. Duke qenë se përfaqësimi i grave në politikë është parë më tepër si një çështje gjinie, t’ju japim mundësi të vijnë, t’ju japim mundësi të përfaqësohen. Kryetarëve të partive ju duket vetja më burra kur kanë më shumë gra në partinë e tyre dhe pastaj mundësisht mundohen të gjejnë edhe disa gra që mos t’ju hapin probleme”.

Ishte deputetja shqiptare e Maqedonisë, Ermira Mehmeti, ajo që duke sjellë shembullin e saj, kur një muaj më parë u vu në qendër të komenteve publike lidhur me një bisedë telefonike të përgjuar, rrëfeu se sa e vështirë është për një femër të jetë në politikë.

“Ajo që ngelet si pyetje është si fitohet një betejë e këtillë, nëse mund të fitohet”, tha Mehmeti.

Top Channel