Gjosha në Britani: Besojmë tek Europa e Bashkuar

27/04/2016 00:00

Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha, me ftesë të Akademisë Diplomatike të Londrës mbajti në forumin e organizuar nga kjo akademi, prezantimin “Shqipëria në rrugën e saj drejt BE-së”.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, ministrja Gjosha vuri theksin tek projekti i Europës së bashkuar, në një kohë që në Britaninë e Madhe debati për të qëndruar apo jo në BE është më i ndezur se kurrë e ku pjesë e këtij debati është bërë padashje edhe Shqipëria.

“E bashkuar, Europa është më e sigurtë dhe Shqipëria beson tek projekti Europian. Shqiptarët, një vlerë vlerë e shtuar për BE. Ne duam një Shqipëri më të fortë brenda një Europe më të fortë”, tha ajo.

Shqipëria u përfshi në debatin e “Brexit” pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Michael Gove, që përmendi Ballkanin Perëndimor, përfshi këtu edhe Shqipërinë, si partnerë potencialë ekonomikë pas daljes nga BE.

Kjo deklaratë e zyrtarit të lartë britanik u pasua me një shkrim plot ironi të kryeministrit Edi Rama në “The Times” thotë se Shqipëria dhe Britania duhet të bashkëpunojnë brenda BE-së, jo jashtë saj. Të njëjtin qëndrim Rama mbajti edhe në një intervistë për “Sky News”.

Top Channel