Koncesioni i ndriçimit, Veliaj e Dako janë pro projektit të Gjiknurit

21/04/2016 00:00

Kryetarët e bashkive të Tiranës dhe të Durrësit shprehen se, në kushtet kur projekti “përfshin më shumë se një autoritet kontraktor dhe qëllimi përfundimtar është efiçenca në energji, sugjerojmë që në rolin e autoritetit kontraktor të jetë Ministria e Energjisë”.

Për ministrin Gjiknuri, kjo hedh automatikisht poshtë pretendimet e Manjanit se, energjetika po merr kompetencat e bashkive.

“Pra bashkitë do të jenë pjesë e procesit në përzgjedhjen e vlerësimin dhe, mbi të gjitha, kontrata do të ndiqet nga bashkitë”, tha ministri Damian Gjiknuri.

Por kundërshtimi i ministrit të Drejtësisë ka mbajtur pezull miratimin e autoritetit kontraktor në Këshillin e Ministrave.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave merr mendimet e të gjitha ministrive dhe shpesh ndodh, që në qeveri të ketë objeksione të ndryshme”, deklaroi më tej Damian Gjiknuri.

Por, Gjiknuri shprehet i sigurtë se kolegu Manjani do të bindet për versionin e qeverisë.

“Bëhet një proces konsultativ nën drejtimin e zyrës së Kryeministrit, që është proces që po vazhdon dhe jam i sigurtë, që Këshilli i Ministrave do ta miratojë këtë vendim, sepse mbi të gjitha dobishmëria publike është e madhe dhe këto janë teknologji që ulin konsumin”, tha Gjiknuri.

Top Channel