Guvernatori Sejko: Rritja ekonomike, në një trajektore pozitive zhvillimi

18/04/2016 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington, që u mbajt më datat 15-17 prill.

Çështja kryesore që mbizotëroi takimet ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore.

Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare. Një takim i rëndësishëm ishte dhe takimi me Ministrat e Financave dhe të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Konstituencës ku bën pjesë Shqipëria.

Në gjithë takimet e sipërpërmendura, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur më tej në problemet dhe perspektivën e rritjes ekonomike, si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe stimulimi i kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.

Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Në këndvështrimin e tyre, Banka e Shqipërisë është një partner serioz dhe profesional në përmbushjen e detyrave të saj dhe ata shprehën gatishmërinë për të vazhduar më tej bashkëpunimin me institucionin tonë.

Top Channel