Aksident në Lushnje-Fier, vdes 20-vjeçari

10/04/2016 10:30

Një 20-vjeçar humbi jetën paraditen e kësaj të diele, për shkak të një aksidenti që ndodhi në kilometrin e katërt të autostradës Fier-Lushnjë. Dy të rinj nga fshati Gur i Divjakës ishin duke udhëtuar në drejtim të Lushnjës me mjetin e tyre tip Ford Mondeo, me targë AA 444 JO.

Në afërsi të fshatit Savër, drejtuesi i mjetit, Odeon Zgjana, ka tentuar të parakalojë një mjet tjetër, por kjo ka rezultuar fatale sepse në këtë moment drejtuesi humbi kontrollin e mjetit dhe është përplasur fillimisht me barrierën trafikndarëse e më pas me ato anësore.

Përplasja ka qenë shumë e fortë. Për pasojë, Ermal Mara, 20 vjeç, ka marrë dëmtime të rënda. Pavarësisht se u dërgua menjëherë drejt spitalit, ai humbi jetën pa mundur të mbërrijë në duart e mjekëve.

Policia, e cila mbërriti menjëherë pas aksidentit në vendngjarje, nisi hetimet për shkaqet. Nga hetimet e para mendohet se mjeti ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara. Një tjetër arsye ka qenë edhe lagështia në rrugë, e cila ka ndikuar për daljen nga korsia të mjetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA