Krimet e Rënda kërkojnë 15 vjet burg për kolumbianin Pelaez Triana

06/04/2016 17:23

Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar dënimin me 15 vjet burg për shtetasin kolumbian Cesar Augusto Pelaez Triana, i akuzuar për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Në një njoftim për shtyp, PKR kujton se, ky shtetas është arrestuar me iniciativë të policisë gjyqësore të Rinasit, më 10 qershor 2014, pasi dyshohej se kishte lidhje me një ngarkesë prej rreth 246 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë në portin e Barit, në Malin e Zi.

“Në bazë të hetimit u arrit të provohej se shtetasi Triana kishte ardhur në Shqipëri për të marrë 600 mijë deri në 1 milion euro për llogari të dy shtetasve kolumbianë, të cilët po kryenin trafikimin e rreth 250 kg kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Sipas dokumentit, “ky trafik po realizohej me konteinerë të mbushur me fruta ekzotike, të porositura në Ekuador nga kompania fierake “RR. Company””. “Si shpërblim për punën e kryer, i pandehuri do të merrte shumën prej 200.000 eurosh”, saktësohet në njoftim.

Triana, me kombësi kolumbiane dhe shtetësi spanjolle, kishte mbërritur në Tiranë më 19 maj 2014 përmes aeroportit të Rinasit, duke ndjekur linjën ajrore Barcelonë-Romë-Tiranë.

Ai ishte akomoduar në hotelin “Albatros”, ku përmes numrit telefonik të recepsionistes komunikonte me një shtetas shqiptar që fliste spanjisht, numrin e të cilit e kishte marrë nga porositësit e tij.

Pas telefonatës me kontaktin shqiptar, ai u zhvendos në një hotel tjetër pranë qendrës së Tiranës. Përmes medias, i pandehuri mësoi për kapjen në Mal të Zi të ngarkesës prej 246 kg kokainë dhe nga frika u përpoq të largohej nga Shqipëria, por u ndalua nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë për Narkotikët dhe Trafiqet.

Ndërkohë, hetuesit ushtruan kontrolle edhe në ambjentet e kompanisë shqiptare “RR. Company” si dhe morën në pyetje pronarin e saj, i cili tha se kishte porositur frutat nga Ekuadori dhe se për kokainën nuk kishte dijeni.

“Prokuroria për Krime të Rënda, ndërkohë, po vijon hetimet për të përcaktuar porositësin e lëndës narkotike”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Top Channel