Bie norma e interesit, BSH vendos ta ulë në 1.5 për qind

06/04/2016 00:00

Banka e Shqipërisë vendosi të ulë sërish normën bazë të interesit duke e zbritur atë në një minimumin të ri historik prej 1.5%.

“Lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare synon t’i japë një implus shtesë aktivitetit ekonomik, duke stimuluar rritjen e kërkesës së brendshme dhe duke përmirësuar mbështetjen e saj me kredi bankare. Gjithashtu, kjo lëvizje sinjalizon vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur me çdo kusht stabilitetin e çmimeve”, deklaroi guvernatori Gent Sejko.

Lëvizja vjen menjëherë pasi në shkurt inflacioni zbriti në 0.2 për qind, niveli më i ulët i 13 viteve. Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë do të bëjë gjithçka për të mos lejuar rënien e ekonomisë në deflacion.
“Banka e Shqipërisë do të mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe e gatshme të lehtësojë edhe më tej politikën monetare në rast se presionet dizinflacionistë të ofertës do të dëmtojnë prespektivën afatmesme të stabilitetit të çmimeve”, tha Sejko.

Por, ulja e inflacionit nuk i ka ndryshuar parashikimet e Bankës për rritjen ekonomike, që sipas guvernatorit është duke u konsoliduar.

“Informacioni i ri mbi aktivitetin e sektorit real të ekonomisë është në përgjithësi në përputhje me pritjet tona, informacioni direkt mbi ecurinë e konsumit dhe investimeve private mungon. Por të dhënat indirekte të përftuara nga treguesit fiskal dhe të tregtisë së jashtme sugjerojnë për një ecuri pozitive të tyre”, tha Sejko.

Kjo është hera e 15 me radhë që Banka e ndryshon normën në ulje, çka përbën një tjetër rekord historik. 

Top Channel