
Gazeta izraelite Haaretz është një prej mediave kryesore të angazhuara në ekspozimin e skandalit financiar të pagëzuar me emrin “Panama Papers”. Në morinë e dokumenteve të firmes ligjore panameze, ajo zbulon edhe emrin e një avokati izraelit, Assaf Halkin, i cili ka regjistruar plot katër kompani përmes Mossack Fonseca.
Një prej bizneseve të Halkinit, që citon gazeta është “GFI Technologies”. Kjo kompani është regjistruar në majin e 2013-ës në ishullin e Anguillas dhe pak javë më pas fitoi nga qeveria shqiptare e asaj kohe një nga kontratat më të përfolura, por edhe më të majme koncesionare, atë të ngjyrosjes së karburanteve.
“Haaretz” shkruan se pronarët e kompanisë janë avokati izraelit Halkin, firma kanadeze “Global Fluids International” si dhe një shtetas shqiptar, të cilin gazeta e quan Ismail Mulati, por që sipas përshkrimeve rezulton të jetë Ismail Mulleti.
Por GFI nuk e fitoi e vetme koncesionin e markimit të karburanteve. Pasi u regjistrua në Anguila, ajo u bashkua me një tjetër kompani të quajtur “Petrolium Consulting Partners”, edhe kjo e fundit një kompani me aksioner të panjohur e regjistruar po në maj të 2013-s në Zvicër.
Pak javë pas themelimit të koordinuar të dy kompanitë u bashkuan në një konsorcium dhe fituan nga qeveria shqiptare koncesionin dhjetëvjecar të shënjimit të karburanteve.
Kontrata është një biznes gati 200 milionë euro, i cili ka lindur si një kompani “offshore” dhe që vazhdon të mbetet i mistershëm edhe sot. Në shtator të vitit të kaluar, GFI u zhduk nga koncesioni duke mbajtur një shumë fare simbolike të aksioneve vetëm, 0.07 përqind dhe duke ja shitur atë plotësisht “Petrolium Consulting Partners”.
Ky operacion duket tipik i kompanive “offshore”, të cilat pasi formohen dhe realizojnë transaksione sekrete, mbyllen për të mos lënë gjurmë pas. Por ai i markimit nuk është koncesioni i vetëm që buron nga “offshore”. Edhe kontrata të tjera koncesionare janë të përfolura se zotërohen nga biznese të krijuar në parajsa fiskale, çka nuk duket të jetë një rastësi.
Top Channel