Faza e dytë e operacionit kundër informalitetit në ekonomi do të bazohet në kontrollin në distancë të bizneseve, që mundësohet nga të dhënat e një sistemi eletronik ku kalojnë të gjitha transaksionet.
Kryeministri Edi Rama tha gjatë prezantimit të strategjisë së re do të ketë thjeshtim të procedurave dhe se kontrollet do të bëhen vetëm në bazë të analizës së riskut që do të nxjerrë sistemi elektronik.
“Synimi ynë është që bizneset në Shqipëri të rrinë me vite pa u kontrolluar, të mos kenë nevojë të kontrollohen. Dhe ndërkohë, sistemi të jetë i tillë që mungesën e kontrolleve në terren ta kompensojë me një kapacitet monitorues në çdo sekondë. Të rrisim kapacitetin e administratës për të bërë analizë dhe pastaj për të marrë kontakt me sipërmarrjen. Dhe këtë analizë mbi bazën e riskut”, u shpreh Rama.
Ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj, paralajmëroi se paketa e re fiskale ka nisur të hartohet dhe se nuk do të ketë ndryshim taksash, por lehtësim të procedurave tatimore: “Nuk ka më ndryshime taksash, pasi sipërmarrja ka thënë se ndryshimet e shpeshta krijojnë konfuzion. Paketa e re fiskale që nis sot, ka të bëjë me thjeshtësimin e procedurave”.
Ndërkohë, sipas kryeministrit, faza e parë e luftës ndaj informalitetit ka rritur numrin e biznesve të regjistruara në 47 mijë, ndërsa të ardhurat në buxhet për tremujorin e parë janë 100 milionë dollarë më shumë se plani.
Top Channel