Banda e tritolit, mbyllet shqyrtimi; Sinanaj mohon shumicën e akuzave

31/03/2016 19:50

Pas 55 seancave ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor kundër 7 të akuzuarve për vrasje me pagesë dhe vepra terroriste, ndërkohë që prokuroria është tërhequr për të shpallur pretencën.

I gjithë procesi u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak se mes të akuzuarve janë edhe dy të penduar, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, dhe deklaratat e tyre konsideroheshin sekret hetimor.

Mbi atë që njihet si “banda e tritolit” rëndojnë akuza për 15 ngjarje kriminale si vrasje me porosi të shtetasve Sokol Veizi e Agron Çela, apo tentativa për të vrarë biznesmenin Pirro Bare.

Gjithashtu, prokuroria, përmes mbi 100 dëshmitarëve e provave shkresore, i akuzoi të pandehurit edhe për vepra me qëllime terroriste në dëm të ish-drejtorit të ALUIZNI-t në Vlorë, Ardian Kollozi dhe ish-prefektit të Vlorës Besnik Dervishi.

Seanca e fundit ishte në pritje të një eksperti të policisë shkencore, pas deklaratës së Julian Sinanajt se nuk ishte i përfshirë në vendosjen e tritolit në makinën e ish-prefektit Dervishi.

Sinanaj i tha gjykatës se, prokruroia e ka implikuar qëllimisht në këtë ngjarje dhe se ai kishte firmosur pa e ditur se për çfarë bëhej fjalë.

Por ndërsa prokuroria pretendon se i pandehuri Marjon Mitro e kishte porositur shpërthimin me tritol me anë të email-it marionkuç[email protected], eksperti tha se nuk mund të ekzistojë një adresë e till dhe për shkak të mungesës së gërmës “ç” në alfabetin anglez.

Debati për gërmen “ç”, në fakt ka zgjatur disa seanca pasi avokatët këmbëngulnin se Gjykata e Krimeve të Rënda duhet t’i dërgonte letërporosi Google për të sqaruar këtë paqartësi.

Veç krimeve të pranuara gjatë gjykimit, si vrasja e Sokol Veizajt dhe tentativa për të vrarë biznesmenin Pirro Bare, Julian Sinanaj ka mohuar krimet e tjera që i ka ngarkuar prokuroria si, vrasja e biznesmenit Agron Çela, shpërthimi në shtëpinë e Ardian Kollozit dhe vendosja e tritolit në makinën e ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.

Top Channel