Verifikimi i konçesioneve, krijohet regjistri kombëtar për marrëveshjet

29/03/2016 13:25

Partneriteti Publik-Privat është tashmë në qendër të vëmendjes së politikave të qeverisë, si një mundësi e mirë për zhvillimin e një sërë sektorësh të rëndësishëm në vend.

Në një tryzë të zhvilluar nga USAID mbi këtë temë, ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi risolli në vëmendje vendimin e qeverisë për krijimin e një regjistri për të gjitha konçesionet.

“Ky regjistër do të jetë një regjistër publik, i aksesueshëm nga të gjithë personat e interesuar dhe do të mbajë informacione mbi kontratat e konçesioneve të nënshkruara në Republikën e Shqipërisë. Regjistri sapo ka marrë miratimin dhe është në proces ngritjeje”, deklaroi Ekonomi.

Ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj theksoi se ministria që ai drejton ka vetëm rol kontrollues dhe për këtë arsye, pak ditë më parë është ngritur një strukturë e posaçme.

“Brenda Ministrisë së Financave është krijuar dhe Njësia e Riskut nga konçesionet dhe PPP. Detyra e vetme do të jetë analiza afatshkurtër dhe afatgjatë e një PPP-jë të mundshme”, deklaroi Ahmetaj.

Top Channel