Opozita acaron raportet me shumicën, Basha: Terrorizëm kushtetues

24/03/2016 00:00

Dialogu politik për Reformën në Drejtësi u ndërpre papritur, kur Partia Demokratike nuk shkoi në takimin e paradites së të enjtes, siç ishte rënë dakord pas mbylljes së suksesshme të ditës së parë të bisedimeve.

Argumenti i përdorur ishte seanca plenare, e cila më vonë u kthye në shkakun zyrtar të braktisjes së dialogut politik për Reformën në Drejtësi. Deputetët demokratë u thirrën nga kryetari Basha në një mbledhje me dyer të mbyllura, nga ku u vendos që pjesëmarrja në Komisionin e posaçëm të Reformës të kushtëzohej me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Një vendim që binte ndesh me marrëveshjen për dialogun pa kushte, që zoti Basha lajmëroi disa ditë më parë nga Uashingtoni.

“Të paktën në letër, sot (18 mars) ka rënë dakord për të nisur dialogun politik pa kushte, por bazuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi. Kushti ynë i vetëm ka qenë moskapja politike e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Basha të premten e kaluar në intervistën e dhënë për “Zërin e Amerikës”.

Disa burime nga mbledhja e grupit konfirmuan për Top Channel se, kryetari Basha ka mbajtur një qëndrim të pazakontë radikal, për të mos marrë pjesë në Komisionin e Drejtësisë pa zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai është shprehur se, eksperimentet me Reformën në Drejtësi janë të papranueshme dhe se, nuk ka asnjë kuptim të ndryshohet Kushtetuta, kur qeveria nuk pranon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Mësohet se, për herë të parë për një çështje kaq të ndjeshme, Lulzim Basha ka marrë edhe mbështetjen e deputetes më kritike të tij, ish-nënkryetares Jozefina Topalli. Ajo e mbështeti zotin Basha, edhe pasi ai është shprehur se, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është “terrorizëm kushtetues”.

Në mbledhje ka pasur edhe zëra si ai i Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, për të bojkotuar përfundimisht Parlamentin, por ky nuk është mbështetur nga shumica e deputetëve, përfshirë edhe ish-kryetarin Berisha.

Megjithëse, më herët dhe publikisht, ai i kërkoi ndihmë Presidentit për shkrirjen e Parlamentit.

“Presidenti i Republikës duhet të konsultohet gjerësisht me të gjithë konstitucionalistët më të mirë të vendit, për të marrë këshillën për të shprehur qëndrimin ndaj këtij grushti të vërtetë shteti që ka konsumuar Parlamenti. Këto quhet grushte shteti brenda shtetit”, tha Berisha paradite jashtë ambienteve të Kuvendit.

Presidenti Nishani, përgjigje ftesës së Berishës: Zbatoj Kushtetutën

“Prerogativat, detyrat dhe angazhimet e Presidentit të Republikës janë qartazi të përcaktuara në Kushtetutë. Kështu që në çdo rast e në çdo rrethanë, Presidenti do të ndjekë e do të zbatojë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën”, iu përgjigj Nishani ftesës së Berishës.

Top Channel