Obama në Kubë: Ndryshimi po vjen dhe Raul e di këtë

21/03/2016 00:00

Barack Obama dhe Raul Castro kanë nisur bisedimet kokë më kokë, ku në qendër të tyre është tregtia mes dy vendeve.

Tregtia duket se është ajo që interesohet më shumë Havana komuniste, por jo Uashingtonit, që synon të fusë vendin ishullor në rrymën e demokratizimit dhe të hapjes, jo vetëm ekonomike.

Kjo u paralajmërua nga Obama para takimit me udhëheqësin komunist të Kubës.

“Ndryshimi në Kubë po vjen dhe Raul Castro e ka të qartë këtë”, tha ai.

Shkelja e një presidenti amerikan në tokën kubane dhe për më tepër pritja e ngrohtë e tij nga udhëheqësit e vendit komunist as që mund të mendohej deri më tani. Por ishte pikërisht kjo që ndodhi me zbritjen e shefit të Shtëpisë së Bardhë në vendin ishullor.

Obama do të qëndrojë tri ditë në Kubë. Ai është presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që viziton vendin komunist në më shumë se 9 dekada.

Top Channel