Brazilianët s’e duan qeverinë. 68%, pro rrëzimit të presidentes Rousseff

21/03/2016 00:00

Pas javës më të trazuar në skenën politike të Brazilit që prej rikthimit të demokracisë në shtetin më të madh të Amerikës së Jugut është thuajse e pamundur të parashikohet fati i qeverisë së Dilma Rousseff.

Sondazhet më të fundit të opinionit, të publikuara të djelën nga instituti i respektuar Datafolha, tregojne se 68% e brazilianëve e mbështesin rrëzimin e presidentes.

Pavarësisht se kush ka të drejtë e kush e ka gabim në aferën e korrupsionit që ka tronditur vendin, shifrat e bëjnë të qartë se Rousseff është në tehun e thikës.

Përpara jo më shumë se një dekade, Brazili ishte i përkëdheluri i botës në zhvillim. Një komb ekonomia e të cilit po lulëzonte, jo vetem sepse i shiste Kinës lëndë të parë e mallra konsumi, por edhe sepse po ndërtonte industritë e veta high-tech, duke i trajnuar inxhinjerët e tij e duke u kthyer ngadalë në një “lojtar” të mirëfilltë global.

Asokohe ishte në rrugën e shndërrimit në ekonominë e gjashtë më të madhe të globit. Çfarë diference bëjnë 10 vjet? Urrejtja dhe zemërimi i derdhur javët e fundit drejt Rousfeff dhe Lula, si dhe qindra mijëra demonstruesit që kanë mbushur rrugët e qyteteve anembanë vendit, dëshmojnë qartë sesa keq kanë shkuar punët për Partinë e Punëtorëve në pushtet.

Për BBC-në, Rousseff përballet sot me stuhinë perfekte. Pavarësisht arritjeve të një dekade, Brazili mbetet vendi i hendeqeve të mëdha mes të pasurve e të varfërve, të bardhëve e të zinjve.

Shpërthimi i skandalit të kompanisë së naftës “Petrobras” bëri që më shumë se 150 anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të qeverisë të përballen me akuza për mitmarrje, korrupsion e pastrim parash.

Por, më shumë sesa largimi i Rousseff nga pushteti, kërcënimi më i madh ndaj të ardhmes së Brazilit do të jetë zbehja apo edhe pezullimi i hetimeve anti-korrupsion, sepse kjo do të nxirrte në fund fituese të njëjtat elita politike dhe biznesi që kane sunduar vendin për dekada të tëra.

Top Channel