Turizmi, marrëveshje historike e kompanisë amerikane në Kubë

20/03/2016 00:00

Mbërritja në Kubë e Barack Obamës, presidentit të shkrirjes së akujve mes dy vendeve, u parapri nga një ngjarje e rrallë. Kompania e hotelerisë “Starëood” u bë e para firmë amerikane që prej revolucionit të 1959-s, e cila pranon të bjerë në ujdi me autoritetet e vendit komunist.

Sipas marrëveshjes së cilësuar “historike”, “Starëood”-it do t’i duhet të rinovojë e menaxhojë 3 hotele të kryeqytetit kubanez, Havana. “Nevojitet një investim miliona dollarësh për t’i sjellë ato godina në nivelin e standardeve tona”, deklaroi zëdhënësi i kompanisë amerikane.

Lajmi erdhi në vigjiljen e vizitës së Obamës në ishull, i pari President i Shteteve të Bashkuara, që vë këmbë atje në gati 90 vite. Pakti me “Starëood”-in është një kujtesë e mirëpritur e afrimit që po përjetojnë të dy vendet, pas vendimit për normalizimin e marrëdhënieve të ngrira për më shumë se gjysëmshekulli.

Vizita e shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe hapa të tillë ekonomikë ushqejnë shpresën se, marrëdhëniet e reja mes dy ish-armiqve të mëdhenj do të jenë shumë shpejt të pakthyeshme.

Turizmi në Kubë është në majat e tij, e që kur Obama lehtësoi kufizimet e udhëtimit, numri i vizitorëve amerikanë ka pësuar një rritje drastike.

Marrëdhëniet amerikano-kubaneze u ndërprenë në fillimin e viteve ’60 , kur Uashingtoni shkëputi marrëdhëniet diplomatike e vendosi një embargo tregtare, pas revolucionit që çoi në vendosjen e komunizmit në shtetin ishullor. Embargoja llogaritet t’i ketë kushtuar ekonomisë amerikane 1.2 miliardë dollarë në vit.

Ishte pikërisht Obama, ai që njoftoi dhjetorin e 2014-s përpjekjet për normalizimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike, pasojë e më shumë se një viti bisedash sekrete në Kanada dhe Vatikan, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Papës Françesku.

Top Channel