Presidenti amerikan në Kubë. Vizitë historike pas 90 vjet shkëputje

20/03/2016 00:00

Regjimi kuban i rezervoi një pritje protokollare Presidentit amerikan, Barack Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u nis nga baza ajrore “Andreës” jashtë Uashingtonit drejt Havanës, ku vetëm pamja e avionit presidencial ikonë Air Force One që prek tokën e shtetit komunist, deri para pak kohësh do të ishte krejtësisht e paimagjinueshme.

Ekzaktësisht në orën 16:34 me orën e Havanës, Presidenti Obama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Michel dhe dy vajzat, prekën tokën kubane. Me vizitën në shtetin ishull dhe bisedimet me liderin e tij komunist, Barack Obama, shkruan një faqe të re në histori.

Udhëtimi i tij treditor, i pari i një kreu amerikan të shtetit në Kubë në gati 90 vjet, përbën pikën kulmore të hapjes diplomatike që Obama dhe homologu i tij kuban, Raul Castro, njoftuan dhjetorin e 2014-s.

Presidenti amerikan, njeriu që braktisi politikën dhjetëra vjeçare amerikane të izolimit të Kubës, tani kërkon ta bëjë këtë afrim të pakthyeshëm. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve vazhdon të hasë megjithatë në pengesa të mëdha.

Ndërkohë, vetëm pak orë përpara mbërritjes së Obamës, një grup protestuesish u arrestuan në Havanë. Policia largoi me dhjetëra demonstruese të grupit “Grate në të bardha”, i formuar nga bashkëshortet e të burgosurve politikë, të cilat ishin mbledhur përpara një kishe ku përpiqen të zhvillojnë protesta çdo javë.

Top Channel