Ministri i Jashtëm belg: Abdeslam po përgatiste sulme të tjera

20/03/2016 00:00

I dyshuari për sulmet e Parisit, Salah Abdeslam, po përgatiste sulme terroriste në Bruksel para se të arrestohej. Kështu la të kuptohej ministri i Jashtëm i Belgjikës, Didier Reinders, duke cituar informacione që ishin zbuluar pas arrestimit të Abdeslam.

Ky i fundit gjendet në duart e autoriteteve belge pasi u arrestua në një operacion dramatik të zhvilluar nga policia të premten. Ministri Reinders tha se policia zbuloi një arsenal armësh dhe një rrjet të ri terroi në Bruksel.
 
“Ai ishte gati që të niste diçka të re në Bruksel. Ne gjetëm shumë armë, mes të cilave edhe armë të rënda si dhe zbuluam një rrjet terrorist”, deklaroi Reinders.

Ai shtoi se shumë të dyshuar të tjerë janë zbuluar që pas sulmeve të nëntorit në Paris.
 
“Jemi të sigurt se deri tani kemi gjetur më shumë se 30 të dyshuar të përfshirë në sulmet e Parisit, por gjithashtu jemi të sigurt se ka edhe shumë të tjerë”, vijoi Reinders.

Që para deklaratave të ministrit belg, Franca mori masa duke përforcuar sigurinë në kufijtë e saj dhe Interpoli paralajmëroi se bashkëpunëtorë të Abdeslam mund të tentojnë që t’ia mbathin tani që ai është arrestuar.

Sipas mediave belge dhe franceze, fjalët e ministrit belg vetëm sa përforcojnë atë që u la të kuptohet nga masat e sigurisë në Francë, se rreziku është real dhe se mund të ketë informacione për sulme të mundshme terroriste.

Top Channel