ISIS merr përsipër sulmin në Sinai, 13 policë mbetën të vrarë

20/03/2016 00:00

Grupi xhihadist i Shtetit Islamik pretendon autorësinë e një sulmi, ku mbetën të vrarë të paktën 13 policë në gadishullin e trazuar të Sinait, në Egjipt. Autoritetet thanë se, një sulm me mortajë shënjestroi një postbllok në qytetin e El Arish.

Por, grupi pretendon se, një atentator vetëvrasës hodhi në erë një automjet të mbushur me eksplozivë pranë postbllokut, që më pas ishte sulmuar. Militantët xhihadistë kanë vrarë qindra pjesëtarë të sigurisë në Sinai, që prej rrëzimit të Presidentit Mohamed Morsi në vitin 2013, nga ushtria.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes folën për një shpërthim të fuqishëm dhe thanë se, qyteti ishte izoluar. Sipas zyrtarëve, pak pas sulmit forcat qeveritare vranë 5 nga militantët.

Shteti Islamik ka marrë përsipër autorësinë e disa sulmeve vdekjeprurëse në rajon kohët e fundit, që kanë kryesisht në shënjestër forcat e sigurisë. Ai pretendon gjithashtu autorësinë e shpërthimit të një avioni rus mbi Sinai, në muajin tetor, si pasojë e të cilit mbetën të vrarë 224 persona.

Top Channel