Aksident rrugor në Spanjë, 14 studentë të “Erasmus” humbin jetën

20/03/2016 00:00

Të paktën 14 persona raportohen të vdekur pas përmbysjes së një autobusi, që transportonte studentë të ekselencës nën programin “Erasmus” nga disa vende të botës, që ktheheshin nga festivali i përvitshëm “Las Fallas” në Valencia. Ngjarja ka ndodhur pranë qytetit lindor të Tarragonës, në Barcelonë, rreth orës 6 të mëngjesit.

Automjeti, në të cilin gjendeshin rreth 60 pasagjerë, u përplas me një automjet dhe u përmbys në autostradën “AP-7”. Ai ishte nisur nga Valencia drejt Barcelonës, por rrugëtimi u ndërpre 3 orë përpara mbërritjes në kryeqytetin katalanas. Përplasja ndodhi në Freginals, një fshat piktoresk, rreth 60 milje në jug të Tarragonës.

Burime jozyrtare të cituara nga media spanjole thonë se ka 14 të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur. Rreth 20 zjarrfikës thuhet se po punojnë në vendngjarje për të nxjerrë viktimat e bllokuar brenda mjetit. Ndërkohë, 7 ekipe autoambulancash janë dërguar me urgjencë në vendngjarje. Autostrada që vijon përgjatë brigjeve lindore të vendit, është mbyllur pjesërisht.

Autobusi i përfshirë në aksident i përket një firme me seli në Mollet del Valles, në veriperëndim të Barcelonës. Shtetësia e viktimave, të vdekur apo të plagosur, ende nuk bëhet e ditur. Studentët e përfshirë në këtë aksident rrugor thuhet të jenë pjesë e Universitetit të Barcelonës.

Josep Roncero, kryebashkiak i Freginals, më i afërti me vendin e ngjarjes, konfirmoi 14 viktimat. Numri i të plagosurve thuhet të jetë “i lartë”.

 “Aksidenti është një tragjedi, për momentin konfirmohen 14 viktima. Shumë studentë të programit Erasmus udhëtonin në këtë automjet. Të plagosurit janë transferuar në spitalet më të afërta”, tha Roncero.

Top Channel