“Kurum” nën administrim, gjykata cakton menaxher publik

19/03/2016 16:25

Gjykata e Tiranës ka caktuar si administratore falimenti të shoqërisë “Kurum International” eksperten publike Lindita Kikino.

E kontaktuar nga Top Channel, zonja Kikino u shpreh se deri më datë 1 prill duhet t’i dërgojë gjykatës një opinion mbi gjendjen financiare të kompanisë dhe çfarë hapash duhen ndjekur më pas.

Nga ana tjetër, kompania turke pati kërkuar vetëadministrim deri në riorganizim. “Kurum International”, në pronësi të “Kurum Holding” me seli në Turqi, i është drejtuar gjykatës duke kërkuar falimentim dhe riorganizim.

Vetë shoqëria zotëron disa kompani në Shqipëri, ku më të rëndësishmet janë uzina e çeliku Elbasan, konçesioni i kantjerit detar në portin e Durrësit dhe hidrocentralet e Bistricës, Ulzës e Shkopetit.

Fakt tjetër është që edhe vetë “Kurum Holding” në Turqi ka shpallur falimentimin, por ka kërkuar disa muaj kohë për të nisur proçedurat.

Në Shqipëri kompania turke ka rreth 134 milionë euro kredi dhe overdafte si borxhe ndaj bankave, institucioneve ndërkombëtare financiare. Kreditori kryesor i “Kurum” është IFC, e cila e financoi për blerjen e tre hidrocentraleve në 2013. Kompania “Kurum” është nga më të mëdhatë në vend.

Impakti i gjendjes negative financiare të saj vlerësohet se ka ndikuar në uljen e eksporteve shqiptare me 5% në 2015, ndërkohë që nga ana tjetër janë shkurtuar qindra vende pune.

Top Channel