Bruksel, Abdeslam në gjykatë; “luftë” ekstradimit në Francë

19/03/2016 00:00

I shoqëruar nga një autokolonë makinash policore, terroristi Salah Abdeslam u largua nga spitali në të cilin ishte shtruar pas plagëve të marra në opeacionin e policisë belge.

Tashmë në pranga, Salah Abdeslam iu drejtua gjykatës së Brukselit për seancën e parë gjyqësore, që në fokus kishte ekstradimin e tij në Francë.

“Njeriu që pati rol kyç në vrasjen e 130 personave në Paris duhet të vuajë dënimin e burimit të përjetshëm në francë”, tha presidenti Francois Hollande një ditë më parë.

Sipas mediave europiane, Abdeslam akuzohet për “pjesëmarrje në organizatë terroriste”, “vrasje” dhe “aktivitete terroriste në grup”. Përmes avokatëve të tij, ai ka bërë të ditur se do të luftojë kundër ekstradimit në Francë.

Ndërkohë, prokurori parizien që ka ndjekur hetimet mbi sulmet e nëntorit, Francois Molins, citoi në një konferencë për shtyp fjalët e terroristit.

“Salah Abdeslam tha sot gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit belgë fjalët që po citoj ‘unë doja të hidhja veten në erë në Stade de France, por u tërhoqa’”, deklaroi Molins. 

Gjyqi i Abdeslam shihet me një rëndësi të madhe nga autoritetet. Kjo, pasi ai mendohet se ka një informacion të madh jo vetëm për sulmet e Parisit, ku ishte i përfshirë, por 25-vjeçari shihet si një burim informacioni mbi funksionimin e ISIS.

Në periudhën kur kërcënimi ekstremist në botën perëndimore është shumë i lartë, hetuesia kërkon të kuptojë prej të arrestuarit sesi funksionon skema e një sulmi ekstremist.

Po ashtu mendohet se Abdeslam ka të gjitha të dhënat mbi rrjetet radikale të Brukselit, veçanërisht në lagjen Molenbek, e cila njihet si  vatër e ekstremizmit.

Abdeslam, i vetmi i mbijetuar i sulmeve të Parisit, ka marrë me qira dy makina në emrin e tij e po ashtu ka rezervuar dhoma hoteli, gjakftohtësisht ka shoqëruar me makinë tre kamikazë deri në stadiumin e Francës.

Ndërsa në momentet e fundit, kur do të hidhej në erë në emër të ISIS, ai u tërhoq. Edhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe për hetuesit francezë.

Top Channel