Sulmet e Parisit, armët nga Sllovakia; të blera me internet dhe postë

18/03/2016 00:00

Armët e përdorura në sulmet terroriste franceze, si në rastin në teatrin Bataclan, në redaksinë e “Charlie Hebdo” dhe në supermarketin hebre të Parisit janë blerë në ish-vende komuniste.

Sipas raportimeve online të së përjavshmes italiane “L’Espresso”, blerjet e armëve janë bërë përmes kontakteve të vendosura në një faqe interneti sllovake.

Automatikët e përdorur, Kallashnikovë të llojit “Ceska VZ 58”, vijnë nga Çekosllovakia komuniste. Një prej armëve të ekzaminuara, e përdorur nga Amed Coulibaly në supermarketin “Hyper Cacher”, është fabrikuar në vitin 1961.

Ndërsa arma tjetër e përdorur në të njëjtën ngjarje rezulton një model më i vogël, i vitit 1964. Sipas hetuesve francezë, bëhet fjalë për armë të vjetra ushtrie, në gjendje të degraduar, por që mund të rezultojnë fatale.

Dy armët automatike mbajnë firmën e “KolArms”, një fabrikë armësh sllovake. Nga ekspertiza ka rezultuar se ato ishin modifikuar në vitin 2013 nga e njëjta kompani.

Të dyja modelet i shiteshin rregullisht kujtdo që kishte mbi 18 vjeç dhe kryesisht përdoreshin nga organizata kriminale.

Një ekspert i balistikës në policinë franceze ka deklaruar se, procesi i riaktivizimit të këtyre armëve është shumë i thjeshtë, pasi mjafton të rimodifikosh tytën e tyre.

Gjithashtu, ato janë armë që mund të blihen online ose me postë. Modeli i vogël kushton rreth 500 euro, ndërsa ai i madh nga 230 në 280 euro.

Ndërsa pistoletat që Coulibaly kishte me vete kanë një kosto më të madhe. Ato janë prodhuar në vitet 1951 dhe 1952 dhe ishin modifikuar nga “KolArms” në vitin 2014, para se të shiteshin.

Top Channel