Kthimi i trashëgimisë së Kishës, Ministria: Do të ulte kostot

18/03/2016 15:20

Pas kërkesës së Kishës Ortodokse që t’i kthehen pronat e saj, në një intervistë për Top Channel, drejtorja e Përgjithshme e Trashëgimisë në Ministrinë e Kultures, Zhulieta Harasani, shprehet se kisha ka gjithë të drejtën të kërkojë pronat e saj, por ajo shton sesi gjithë individët apo subjektet e tjera, duhet t’i drejtohen Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me dokumentet përkatëse.

E pyetur lidhur me ndikimin që mund të këtë mbi këto monumente kalimi i tyre në varësi të Kishes Ortodokse, Harasani shprehet se kjo do të sillte një bashkëpunim më të mirë me Kishën.

“Mund të kishim një bashkëpunim shumë më të mirë se sot sepse ndjehemi disi vetëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre vlerave dhe do të ketë edhe detyrime gjithashtu, por pa minimizuar kontributin dhe kujdesin e shtetit në këto monumente kulture”, thotë Harasani.

Kthimi i pronave të Kishës u kthye në vëmendje pas kërkesës së paraqitur nga Asamblea Kleriko-Laike e Kishës Ortodokse, e cila kërkoi zbatimin e ligjit të miratuar nga qeveria për këtë qëllim.

Top Channel