Sulmi në Ankara u krye nga militantët kurdë

17/03/2016 10:00

Tri ditë pas sulmit të Ankarasë, përgjegjësinë e episodit, që u kushtoi jetën 37 personave, e mori fraksioni i shkëputur prej PKK-së, “Skifterët e Lirisë së Kurdistanit”, i njohur ndryshe si TAK.

Përmes një deklarate në internet, grupi sqaroi se shpërthimi ishte një forme hakmarrjeje ndaj operacioneve ushtarake turke në Juglindjen me shumicë kurde të vendit.

Edhe atentatin e përpara një muaji në Ankara, TAK e ka përshkruar si vepër të tij. Në faqen e internetit të tij është publikuar fotoja e vajzës që hodhi në erë makinën me eksploziv, pranë parkut të autobusëve dhe stacionit të metrosë, në lagjen “Kizilay”.

Në fillim të javës, autoritetet turke e identifikuan kamikazen si Seher Cagla Demir, sipas tyre pjesëtare e PKK-së. Deklarata “online” e TAK konfirmon përfshirjen e saj, duke e përmendur me emrin që përdorte si militante, Seher Doga Jiyan, por nuk ka asnjë fjalë mbi ekzistencën e një kamikazi të dytë mashkull, siç pretendojnë zyrtarët turq.

Ndërkohë, pas paralajmërimit të drejtuar shtetasve të saj në Turqi, Gjermania vendosi të mbyllë Ambasadën në Ankara, si dhe Konsullatën e një shkollë gjermane në Stamboll, duke e justifikuar këtë vendim me “kërcënimet konkrete” për sulme, që me gjasë mund të ndodhin tani shpejt.

Plot 12 turistë gjermanë humbën jetën nga sulmi vetëvrasës, që tronditi në muajin janar qytetin më të madh të Turqisë, për të cilin u fajësua Shteti Islamik.

Top Channel