Kina: Hong Kongu i pavarur? E pamundur

17/03/2016 08:20

Është e pamundur që Hong Kongu të bëhet një shtet sovran dhe ky është qëndrimi përfundimtar i Kinës. Zyrtarë veteranë kinezë reaguan kështu ndaj një artikulli të publikuar në një gazetë që i kërkonte OKB-së të njihet Hong Kongun si një shtet të pavarur në vitin 2047.

Pikërisht në këtë vit përfundon ligji që garanton parimin një vend me dy sisteme që hyri në fuqi në vitin 1997, kur Britania e Madhe i dorëzoi Hong Kongun Kinës. Pas protestave për demokraci në vitin 2014, një grup gjithnjë e në rritje njerëzish kërkon pavarësi më të madhe nga Kina dhe kjo njihet si lëvizja lokale.

Kërkesa ndaj OKB-së për pavarësinë u bë në një artikull të gazetës “Undergrad”, e cila publikohet nga Universiteti i Hong Kongut. Në artikull gjithashtu shkruhet se Hong Kongu duhet të ketë qeveri demokratike dhe kushtetutën e tij. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i autoriteteve kineze që thanë se nuk ka asnjë mundësi që kjo të ndodhë. Ekspertët thonë se Pekini zyrtar përpiqet që t’i ndalojë që në fillim pretendime të tilla, pasi është bërë e qartë së fundmi se rritja e kërkesave nga Hong Kongu për më shumë liri që çojnë drejt pavarësisë nuk është e mirë për sundimin e Kinës në këtë territor.

Top Channel