Australi, gazetarët në grevë për shkak se u rrezikohet puna

17/03/2016 00:00

Gazetarët e grupit mediatik “Fairfax”, një nga botuesit më të mëdhenj në Australi, janë hedhur në grevë, pasi kompania tha se do të shkurtonte 120 vende pune.

Stafi u informua për vendimin e shkurtimeve në njerëz dhe në buxhet përmes postës elektronike të enjten. Shkurtimet prekin gazetarët në gazetat e njohura “Sydney Morning Herald”, “The Age” dhe “Australian Financial Review”. Sindikata e mediave i cilësoi këto shkurtime si goditje të forta dhe të egra.

“Është stafi i redaksisë, ai që ka nxitur tranzicionin dhe, pavarësisht sfidave, vazhdoi që të prodhojë gazetari të cilësisë së lartë dhe të pavarur. Por ja cili është çmimi që marrin”, deklaroi Paul Murphy, shefi i Sleancës së Mediave (MEAA) dhe udhëheqësi i protestës.

Në Twitter, stafi i grupit mediatik tha se nuk do të kthehet në punë deri të hënën dhe se do të vazhdojë grevën derisa të sigurohet çdo vend pune i rrezikuar.

Ndërkohë, kompania e ka justifikuar shkurtimin e vendeve të punës me ndryshimet e përhershme të këtij sektori, sidomos mënyrës sesi lexuesit konsumojnë lajmet. Sektori i mediave në Australi po përballet me rënie të ndjeshme të të ardhurave nga publicitetet.

Megjithëse faqja në internet e gazetës “Sydney Morning Herald” është një prej më të vizituarave në vend, ajo përballet me konkurrencë të fortë në hapësirën dixhitale të lajmeve.

Top Channel