Shërbimi i drejtësisë ndaj qytetarëve është më i rëndësishëm sesa kush do të jetë prokuror i Përgjithshëm, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese apo i Gjykatës së Lartë.
Ky është këndvështrimi për reformën i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, sipas të cilit ngërçet në drejtësi i përplasin qytetarët dyerve të gjykatave.
“Nuk e bën drejtësinë më të drejtë paraja, ashtu sikurse nuk e bën spangoja dërrasën e shtrembër. E pamundur!”, tha ministri Manjani.
I ftuar në tryezën për ndihmën juridike falas, ministri pranoi se ky shërbim është problematik dhe nuk po i ndihmon shtetasit në pamundësi financiare për t’u mbrojtur. Përfaqësuesit e “EURALIUS” e konsideruan ndihmën ligjore falas në anarki.
“Skema e sotme e ndihmës ligjore është për fat të keq ende në kolaps”, tha më tej Manjani.
“Na kanë dalë probleme të tilla, që një prokuror apo një gjyqtar përzgjedh gjithmonë të njëjtën avokatë. Gjithashtu dhe buxheti, që është kryesorja për të përmbushur këtë detyrim që ka shteti ndaj shtresës së popullsisë, që nuk është e aftë të paguajë shpenzimet gjyqësore”, deklaroi Maks Haxhia.
Megjithëse ligji për ndihmën juridike falas ka ndryshuar, buxheti i shtetit për këtë shërbim është i pakonsiderueshëm, ndërkohë që misioni “EURALIUS” po organizon tryeza për të riparë ligjin aktual.
Top Channel