Qeveria siriane kundërshton bisedimet e paqes

16/03/2016 18:30

Përfaqësues të qeverisë siriane kanë përjashtuar mundësinë e nisjes së bisedimeve për paqen me grupet e opozitës, kur procesi i mbështetur nga OKB i mbajtur në Gjenevë të Zvicrës ka hyrë në ditën e tretë.

Ditën e martë, liderët opozitarë deklaruan se ishin gati të takoheshin kokë më kokë me zyrtarët e regjiimit të presidentit Bashar al Assad. Por negociatori i Damaskut, Bashar al Jaafari e refuzoi idenë duke i cilësuar interlokutorët si terroristë.

Ndërkohë, partia kryesore kurde në Siri, që nuk është e ftuar në Gjenevë, ka njoftuar se ka në plan të shpallë një sistem federal administrimi në veri të vendit.

Drejtues të Partisë së Unionit Demokratik, milicia e të cilës kontrollon 400 kilometra territor përgjatë kufirit me Turqinë, deklaruan se në sistem do të përfshihen përfaqësues për çdo komunitet etnik të zonës.

Zoti Jaafari ndërkohë refuzoi të komentonte planin në fjalë, por paralajmëroi se, “çdo përpjekje për të krijuar përçarje mes sirianëve do të dështojnë”.

Gjithashtu, pas takimit me të dërguarin e posacëm të OKB-së, Staffan de Mistura, ai sqaroi se bisedimet direkte i refuzon për shkak të pranisë së negociatorit opozitar Mohammed Alloush, anëtar i grupit rebel Jaysh al Islam.

Top Channel