Francë, arrestohen 4 persona për sulm terrorist “të menjëhershëm”

16/03/2016 18:05

Policia franceze ka arrestuar këtë të martë katër persona të dyshuar se ishin përfshirë në një plan për një sulm terrorist “të menjëhershëm” në Paris.

Sipas mediave franceze, të arrestuarit janë 3 burra dhe një grua, të cilët janë ndaluar në orët e mëngjesit, në rajonin numër 18 të Parisit.

Mes tyre janë dy vëllezër me origjinë turke, si dhe një person, i identifikuar si Youssef E, i konsideruar shumë i rrezikshëm dhe njëkohësisht i njohur nga seksioni i anti-terrorizmit francez pasi ishte dënuar me 2 vjet burg në mars të vitit 2014.

Ai ishte ndaluar njëherë dy vjet më parë në aeroportin e Saint Etienne, teksa përpiqej të largohej drejt Sirisë me një bashkëpunëtor, por ishte liruar në tetor të 2015-s.

Ndërkohë, gruaja e ndaluar këtë të martë rezulton të jetë partnerja e tij. Hetuesit janë të bindur se të katërt ata përbënin një kërcënim serioz. Gazeta “Le Figaro” njofton se gjatë kontrollit në banesën e tyre janë gjetur krehëra kallashnikovi, armë dhe një USB, bashkë me disa materiale informative.

Lajmi vjen në ditën kur autoritetet belge kanë njoftuar se dy të kërkuarit e operacionit të djeshëm në Bruksel, lidhur me sulmet e 13 nëntorit në kryeqytetin francez, janë ende në arrati.

Top Channel