Në Shkodër ka një rritje alarmante të rasteve me problemet e shëndetit mendor. Ato janë nga më të lehtat deri edhe më të rëndat.
Sipas shefit të Qendrës së Shëndetit Mendor, në Shkodër, nga janari deri më sot, jane 3000 persona që kanë kërkuar ndihmë. Ndërkohë që më parë shifra shkonte në 1000 persona në muaj. Mjeku Gjon Preçi thotë se një nga shkaqet është situata sociale dhe ekonomike e personave.
“Në vitin 2015 ka pasur më shumë se 12 000 persona të regjistruar, por jo të gjithë kanë qenë me probleme të shëndetit mendor. Kanë qenë me probleme më të vogla, që kanë pasur nevojë vetëm për ndonjë këshillim ose ndihmë afatshkurtër. Nga muaji janar i këtij viti, kemi rreth 3000 persona”, thotë mjeku.
I pyetur në lidhje me rrezikshmërinë që mund të paraqesin në ambient, mjeku thotë se personat që mund të shfaqin probleme janë të paktë. Ndërsa shkaqet e kësaj situate lidhen jo vetëm me shkaqe të brendshme, por më së shumti me problemet sociale dhe veçanërisht ato ekonomike.
“Stasusi social, martesor, faktori punë dhe banim, janë faktorë rëndues për prognozën”, sqaron Preçi.
Për vetë natyrën e kësaj qendre, që nuk ka pamjen e një spitali të zakonshëm, njerëzit e kanë më të lehtë të paraqiten të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Top Channel