Top Story, Halimi: 10 vërejtjet tona nuk janë të reja

14/03/2016 22:40

Maxhoranca është zotuar që reformën në drejtësi ta kalojë brenda muajit mars dhe këtë zotim, vetë kryeministri Rama e bëri pas në takimin me Sekretarin e Shtetit, John Kerry.

Por që prej asaj dite koha ka rrjedhur dhe duket se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe bashkë me to edhe fati i reformës në drejtësi, e cila rrezikon që jo vetëm të mos miratohet brenda muajit mars, por të dështojë krejtësisht.

Në mbledhjen e parë të Komisionit të Posaçëm, fill pas daljes së draftit përfundimtar të Venecias për këtë reformë, Partia Demokratike paraqiti 10 vërejtje të vetat, për të cilat maxhoranca tha se rrëzojnë krejtësisht draft-reformën.

Opozita këmbëngul për dialog politik për të gjitha këto vërejtje, ndërsa maxhoranca orientohet më shumë drejt ekspertëve. Në ç’pikë janë palët? Çfarë i ndan dhe më kryesorja, a po shkon reforma më e rëndësishme e 25 viteve të fundit drejt dështimit nga klasa politike?

Për këto dhe të tjera pyetje, këtë të hënë në Top Story ishte Eduard Halimi, një ndër aktorët kryesorë të Partisë Demokratike të përfshirë në këtë reformë.

Halimi tha se PD ka kërkuar që në fillim konsensus për reformën dhe shton se 10 pikat e lexuara prej tij në mbledhjen e Komisionit të Reformës nuk janë pika të reja, por kanë qenë aty që në vërejtjet fillestare të opozitës.

“Ky është qëndrimi fillestar dhe koherent i Partisë Demokratike. Që në fillim kërkuam të ishim pjesë e procesit. Në mënyrë të njëanshme, arrogante Partia Socialiste eci e vetme, hartoi e vetme një draft të amendamenteve. PD ndoqi një praktike më tepër mbrojtëse e të bërit kundërshti të akteve dhe paraqitëm 54 faqe, ku janë edhe 10 nga çështjet që tani kërkojmë t’i shtojmë për dialog politik. Ne kërkojmë dialogun politik për këto 10 pika që kanë lidhje me kapjen politike të sistemit. Në duam të çmontojmë kapjen politike të sistemit. Këtu kemi ngecur në pjesën e diskutimeve”, tha Halimi.

Sipas tij, në draftin përfundimtar, Venecia i jep të drejtë opozitës në 46 nga 89 paragrafët në total. 

Lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit, Halimi deklaroi se pavarësisht deklaratave të maxhorancës se bëhet fjalë për një strukturë që do të ngrihet nën prokurori, drafti i dorëzuar në Parlament e vendos atë nën Ministrinë e Brendshme.

“Edi Rama ka firmosur një letër që thotë se do të jetë nën Ministrinë e Brendshme. Kemi një letër me firmë dhe vulë dhe zotin Xhafaj që thotë jo”, u shpreh Halimi.

Opozita këmbëngul që byroja mund të ngrihet, sipas saj, nëse kjo bëhet sipas udhëzimëve të Venecias.

“Byroja mund të ngrihet që nesër nën Prokurorinë e Përgjithshme, këtë e thotë Venecia, mund të ngrihet edhe nën Prokurorinë e Përgjithshme edhe nën strukturën e posaçme antikorrupsion”, u shpreh Halimi.

Deputeti demokrat tha se që të dhjetë vërejtjet e demokratëve janë të negociueshme politikisht.

Pak kohë më parë, në Top Story, Lulzim Basha tha se nuk pranon procesin e vetingut (vlerësimi dhe kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve) në formën e propozuar nga maxhoranca. “Ne jemi pro vetingut sipas standardeve europiane dhe sipas asaj që thotë Venecia”, deklaronte Basha.

Në linjë me këtë deklaratë u shfaq edhe Halimi në pjesën e fundit të Top Story-t. Ai foli për disa shkelje që bëhen në këtë pjesë të draftit, sipas të cilit Venecia e ka rrëzuar.

“Heqja e së drejtës për t’u ankuar kundër vendimit të çdo komisioni. Kjo është shkelje e Konventës Europiane, apo heqja e së drejtës për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese, edhe kjo një tjetër shkelje flagrante”, deklaroi Halimi.

Në fund të emisionit, Eduard Halimi tha se PD me daljen e opinionit përfundimtar të Venecias dhe nëse draft-reforma është në linjë me këtë opinion, opozita do ta votojë.

Top Channel