Sejko: Edukim financiar gjeneratës së re

14/03/2016 12:50

Me rastin e çeljes së Javës Globale të Parasë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar një takim me nxënës të shkollave të ndryshme, gjatë të cilit e ka vënë theksin tek rëndësia e edukimit financiar të brezit të ri.

“Në ditët e sotme, shumë banka qendrore në mbarë botën po i kushtojnë një vëmendje gjithnjë e më të madhe edukimit financiar të publikut në përgjithësi dhe të brezit të ri më në veçanti. Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut përputhet me mjaft interesa të bankës qendrore në fusha të ndryshme të veprimtarisë së saj, si politika monetare, mbikëqyrja bankare, informimi i konsumatorit mbi produktet dhe shërbimet bankare, si dhe përfshirja financiare e publikut”, ka thënë Sejko.

Ai ka vlerësuar se, “pjesëmarrja efektive e publikut në sistemin financiar kontribuon në rritjen e mirëqenies ekonomike të individëve dhe të bizneseve”.

“Edukimi financiar ndihmon qytetarët të përfitojnë nga mundësitë që ofron sot sistemi financiar dhe teknologjitë që po e transformojnë atë. Ai i ndihmon konsumatorët të kuptojnë më mirë rreziqet që lidhen me administrimin e financave dhe lehtëson marrjen e vendimeve të duhura financiare”, ka nënvizuar Sejko. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi.

Top Channel