Subvencioni i bujqësisë, 14 mln euro për 13 mijë fermerë të pajisur me NIPT

13/03/2016 00:00

Me 15 mars nisin aplikimet për të përfituar nga subvencionet e qeverisë për bujqësinë. Janë rreth 14 milionë euro që do të jepen si mbështetje për fermerët, agro-përpunuesit dhe investimet në infrastrukturën bujqësore.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural, Suela Popa shpjegon si funksionon skema.

“Për sa i përket subvencioneve, që ndryshe njihen si pagesa direkte, për çdo mbjellje prej 1 hektarësh fermeri përfiton 250 mijë të reja. Në rastin e investimeve, koncepti është bashkëfinancim, partneritet i fermerit dhe i shtetit, konkretisht me realizimin e investimit kur ai kryhet me sukses dhe kontrollohet nga ekipet, 50 përqind e kësaj vlera, e vërtetuar edhe me fatura tatimore, do të mbështetet nga buxheti i shtetit”, shprehet Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural, Suela Popa.

Fituesit shpallen në mes të prillit dhe priten që të mbështeten më shumë se 13 mijë  fermerë. Kriter i domosdoshëm këtë vit është që aplikantët jenë të regjistruar me NIPT tatimor.

“Ajo që unë doja të veçoja për vitin 2016 është domosdoshmëria për t’u pajisur me NIPT-in e fermerit. Theksoj se asnjë fermer nuk ka detyrime fiskale, por duhet të jetë i identifikuar për të përfituar nga skemat e subvencionit”, thotë Popa.

Përveç subvencioneve, në planet te Ministrisë së Bujqësisë është nisja e skemës së garantimit të kredive për fermerët, e cila bashkëfincohet nga BERZH me një total prej 300 milionë eurosh në tre vite.

Top Channel