Serveri i tatimeve, Cani: Kontrollin e urdhërova unë

11/03/2016 00:00

Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani ka dëshmuar përpara komisonit hetimor parlamentar mbi dyshimet e klonimit të serverit të tatimeve. Cani ka pranuar se ishte ai që kishte vendosur në kushte emergjence kryerjen e kontrollit të serverit, duke përzgjedhur edhe anëtaret e grupit të auditit.

“Nga verifikimet që janë bërë në drejtorinë tatimore të Tiranës, kishte raste ku janë bërë veprime në sistem dhe personat, emrat e të cilëve përmendeshin nuk e pranonin që e kishin bërë vetë ndërhyrjen”, tha ish ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Dyshimet se përzgjedhja e anëtareve të grupit të auditit dhe mënyra e bërjes së kontratës, ishin bërë të pambështetura në ligj, dhe për rrjedhojë opozita në komision hedh dyshime se janë marrë të dhënat e tatimeve për qëllime të tjera jashtë atyre të përcaktuara në raportin e auditit, ka ngjallur debate mes kryetarit të komisonit Arben Ristani dhe ish-ministrit Cani.

“Nuk keni zbatuar aspak, se keni lidhur një kontratë për një shërbim, kontrata për një shërbim lidhet mbi bazën e ligjit për prokurimimin publik. Ata personat që çuat ju i futën në sqetull natën të dhënat dhe ikën nga drejtoria e tatimeve”, tha Arben Ristani.

“Ju referoheni për atë që është me para. Unë po ju them se i kam marrë pa para. Ju konkluduar për gjëra që unë nuk e di nga i dini”,  tha Cani.

Duke insistuar se ka vepruar konform ligjeve dhe në favor të interesave të shtetit, ish-ministri Cani i ka bërë thirrje ministrit aktual të Financave, që pas përfundimit të këtij komisioni të ngrejë një tjetër grup kontrolli për të verifikuar sërish serverin për të cilin u ngrit ky komision, pasi Cani dyshon se akoma shkelje dhe vjedhje në dëm të interesave të shtetit.

Top Channel