Presidenti Bujar Nishani dhe homologu i tij azer, Ilham Aliyev kanë zhvilluar një takim dypalësh, në kuadër të forumit të katërt global në Baku të Azerbajxhanit.
Të dy presidentët e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm projektin e gazsjellësit TAP për gazifikimin e Shqipërisë. “Implementimi i projektit TAP do të ketë një impakt shumë pozitiv edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur z. Nishani.
Presidenti azer Aliyev u shpreh mjaft i sigurtë në implementimin në kohë të gazsjellësit TAP, duke shprehur dhe mbështetjen e shtetit të tij për procesin e gazifikimit të Shqipërisë. Nishani dhe Aliyev u shprehën për organizimin e një Forumi të përbashkët Ekonomik për një platformë konkrete bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.
Nishani pati takim edhe presidentin gjeorgjian Giorgi Margvelashvili dhe atë maqedonas, George Ivanov.
Kreu i shtetit u takua edhe me një grup të vogël shqiptarësh që jetojnë e punojnë në Azerbajxhan, duke i siguruar për vëmendjen në rritje që shteti shqiptar u kushton nevojave dhe kërkesave të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut.
Top Channel