Privatizimi i INSIG, kompania shqiptare ofron gati 20 milion dollarë

10/03/2016 15:45

Gara për blerjen e INSIG pati katër konkurrentë, por ofertën më të lartë e dha shoqëria EUROSIG, oferta financiare e të cilës është 2 miliardë e 222 milionë lekë.

Edhe tre ofertat e tjera vinin nga kompani të njohura shqiptare, por çmimi i ofruar prej tyre ishte më i ulët. Konkretisht, kompania Balfin 1.6 miliard; Kastrati 1.1 miliard dhe Duraku 2.1 miliardë.

Oferta më e lartë korrenspondon me vlerën kontabile të INSIG, që sipas Ministrisë së Financave është 15.3 milionë euro, ose rreth 2.1 miliardë lekë.

Sipas vendimit të qeverisë, çmimi i ofruar ka 80 për qind të pikëve në vlerësim, ndërsa plani i biznesit dhe cilësia e blerësit do të kenë respektivisht nga 10 pikë.

Komisioni ka 9 ditë kohë për të vlerësuar ofertat dhe brenda datës 25 të këtij muaj duhet të përpilojë projektvendimin përmes të cilit do të shpallet fituesi nga qeveria. Tenderi për INSIG vjen në një moment të vështirë për ekonominë.

Por pavarësisht kësaj, ai shënon një risi. Ky është rasti i parë kur në një privatizim të rëndësishëm garojnë vetëm kompani shqiptare dhe përmes këtij procesi në kohë të vështira financiare buxheti arkëton gati 20 milionë dollarë.

Top Channel