“Fantazma” e naftës dhe gazit. Shitje e dyshimtë e koncesionit të vendburimeve

07/03/2016 00:00

Në vitin 2007, qeveria e atëhershme nënshkroi një marrëveshje koncesioni, e cila kaloi disa vendburime të rëndësishme nafte dhe gazi te një kompani kanadeze me emrin “Stream Oil”.

Marrëveshja përfshinte vendburimin e naftës në Cakran-Mollaj, atë të Ballsh-Hekalit, vendburimin Gorisht-Koculit dhe fushën e Delvinës.

Por në vitin e 2014, “Stream” u ble tërësisht nga një kompani amerikane e quajtur “Transatlantic Petroleum”. Kompania e re, e cila zotërohet nga miliarderi amerikan Malon Mitchell, në fillim ishte entuziaste për investimet në Shqipëri.

“Ne shohim potencial domethënës për rritje në Shqipëri dhe presim të rrisim vlerën e këtyre aseteve”.

Por vetëm pak ditë më parë, përmes një njoftimi të beftë, “Transatlantic” njoftoi shitjen e të gjitha aseteve të saj në Shqipëri, te një kompani e panjohur me emrin “GBC Oil”. Sipas marrrëveshjes, kompania e re “GBC Oil” ka marrë përsipër të paguajë 2.3 milionë euro borxhe te një bankë private dhe 29.2 milionë euro të tjera borxhe, që “Transatlantic” dhe më parë “Stream” kanë akumuluar ndaj shtetit shqiptar apo bankave të tjera.

Transaksioni ka alarmuar autoritetet shqiptare. “Albpetrol” dhe “Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore” dyshojnë se, përmes tij po synohet shmangia e borxheve prej 13 milionë eurosh, që “Transatlantic” ka ndaj shtetit shqiptar.

Drejtues të AKBN-së thanë për Top Channel se, kontrata koncesionare është lënë evazive dhe nuk përcakton qartë, nëse shteti mund ta bllokojë transaksionin. Por, ata bëjnë të ditur se kanë nisur ndërkohë procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare, për shkak se, si “Stream” ashtu dhe “Transatlantic” nuk kanë përmbushur kushtet e saj.

Sipas këtyre burimeve, kjo është edhe shpresa më e mirë që shteti ka për ta shpallur të paligjshëm transaksionin, i cili nëse do të finalizohet plotësisht, do ta bënte të pamundur arkëtimin e 13 milionë eurove borxhe, që koncesionari ka ndaj shtetit, dhe dhjetëra milionë të tjerave ndaj palëve të treta.

Top Channel